Ngacmimet në mes të moshatarëve dhe ndikimi negativ i tyre.

Ngacmimet në mes të moshatarëve dhe ndikimi negativ i tyre.

Bullying

    Ngacmimi, i cili në literaturën ndërkombëtare është i njohur si Bullying, është një dukuri shqetësuese që po zgjon çdo ditë e më shumë interesimin e studiuesve të ndryshëm në mbarë botën. Tashmë nga studime të shumta është bërë e ditur se rastet e ngacmimeve në mes të moshatarëve janë të shpeshta, si dhe ndikimi negativ i dukurisë ne jetën psikike të fëmijëve, meriton vëmendje të lartë (Ong & Linfor, 2003). Studimet internacionale që kanë dokumentuar dukurinë e ngacmimeve në mes të moshatarëve në vende të ndryshme të Evropës dhe SHBA-ve, tashmë e kanë bërë të qartë se kjo dukuri mund të zhvillohet në drejtime kriminale, në rast se nuk merren masat e duhura me qëllim të intervenimit dhe parandalimit të saj (Simpson, 2002).
    Në literaturë Bullying definohet si: veprime të përsëritura negative (fizike, verbale apo psikologjike) të drejtuara drejt një individi, ku ka disbalancë fuqishë, në mes të viktimës dhe ngacmuesit (Olweus, 1993). Dan Olweus, konsiderohet të jetë pioneri i studimeve në lidhje me bullying. Sipas tij, ngacmimet mund të jenë të formave të ndryshme, ato mund të konsistojnë në dhunën fizike ose verbale, përmes gjesteve të turpshme ose përmes përjashtimit të qëllimshëm të një individi nga një grup i caktuar (Dake, Price & Telljohan, 2003). Në përgjithësi të gjitha format e ngacmimeve në mes të moshatarëve paraqesin problem për sigurinë e nxënësve në ambientet shkollore, si dhe ndikojnë negativisht në zhvillimin psikik të tyre (Sampson, 2002).
    Argenbright dhe Edgell (sic citohet nga Millsom & Gallo 2006) identifikuan katër lloje të veçanta të bullying. Sipas tyre egziston ngacimimi fizik, në formën e gjuajtve dhe goditjeve, ngacmimi verbal që përfshinë përdorimin e fjalëve që lëndojnë të tjerët të tilla si: ofendimet, komentet raciste, thirrja e emrit në mënyrë të përsëritur dhe shqetësuese, apo ngacmimet e ashpëra. Ngacmimi relacional që ka të bëjë me tendencën  për të përjashtuar një individ nga një grup i caktuar shoqëror, që zakonisht realizohet përmes kërcënimeve të njëpasnjëshme dhe së fundi bullying reaktiv, i cili përfshinë atë formë të ngacmimit ku individi mund të jetë njëkohësisht edhe viktimë edhe ngacmues. Fëmijët që ngacmojnë të tjerët, ata që ngacmohen si dhe ata që ngacmojnë dhe ngacmohen në të njejtën kohë, ndajnë një numër të përbashkët karakteristikash dhe kanë tendencë të vuajnë pasoja negative afatgjate (James, 2010).
    Sipas raportit të lëshuar nga Unicef  (2005), vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, nuk kanë një term specifik në fjalorin e tyre për të përshkruar dukurinë e bullying. Prandaj edhe mos egzistenca e një termi të tillë të veçantë për këtë problem e bën atë të vështirë për tu diskutuar dhe egzaminuar.
    Që nga dhjetori i vitit 2011 e deri në janar të vitit 2012, Qendra për Arsim e Kosovës (QAK), ka hartuar dhe realizur një planprogram për parandalimin e të gjitha llojeve të dhunës në shkollat e Kosovës. Aktivitetet e kësaj qendre janë realizur në 341 shkolla të komunave të ndryshme të Kosovës. QAK në raportin e lëshuar në vitin 2012 përshkruan detajisht programet që ata zhvilluan. Kjo qendër i formoi:  “Komitetet Komunale për Mbrojten e të Drejtave të Fëmijeve”, si dhe  komisionet që do të vazhdonin të punonin me programet për parandalimin e te gjitha formave të dhunës, të cilat mund të shfaqen në shkolla. Raporti i lëshuar nga kjo qendër, flet për realizim të suksesshëm të planprogramit të tyre.
    Në Kosovë dhuna nëpër shkolla është një fenomen shqetësues për prindërit dhe  arsimtarët. Sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës (2013), rastet e ngacmimeve të raportuara në mes të nxënësve në shkolla ka rënë dukshëm që nga viti i kaluar. Raportet e Policisë së Kosovës kanë treguar se gjatë atij viti janë shënuar 351 incidente në të gjithë  Kosovën, ku prej tyre kanë qenë 64 raste të lëndimeve të lehta trupore, 9 raste të lëndimeve të rënda, 10 të kanosjes dhe 9 të posedimit të armëve të ftohta. Zëdhënsja e Policisë ka thënë se organet e rendit dhe gjithë shoqëria është e shqetësuar për dhunën ndërmjet të rinjëve sidomos nëpër shkolla, ndonëse kjo dukuri sipas statistikave të policisë ka shënuar rënie (Bislimi, 2013).
    Vendet Amerikane dhe ato Evropiane tashmë kanë kryer një numër të madh studimesh që kanë egzaminuar dukurinë e ngacmimeve në mes të moshatarëve dhe të gjitha efektet e saj (Boyle, 2005). Këto studime kanë egzaminuar çështjen e ngacmimeve në raport me disa variabla të tjera të veçanta, si ajo e shëndetit mendor, fizik apo arritjeve akademike dhe disa prej tyre janë ndalur me theks të vecantë tek dizajnimi i formave të ndryshme të intervenimit që do ta mundësonin parandalimin e dukurisë në fjalë. Sipas një studimi të bërë nga Dake, Price dhe Telljohann (2009) në Amerikë, bullying është një dukuri e rëndësishme për tu analizuar në aspektin e korrelacionit eventual të tij me çështje të ndryshme shkollore. Sipas studiuesve egziston një lidhje signifikante në mes përjetimit të ngacmimeve fizike ose psikike, me çështje shkollore si: arritjet akademike dhe mungesat eventuale të nxënësve në shkollë. Sipas tyre parandalimi i bullying, duhet të jetë një çeshtje prioritare në të gjitha shkollat. Mënyra më e mirë që studiuesit identifikuan për ta bërë një gjë të tillë, ka të bëjë me përfshirje gjithë shkollore. Kjo metodë parasheh vlerësim të problemit, organizim të konferencave ditore, sigurim të një mbikqyrje më të mirë gjatë pushimeve, formim të një grupi kordinues që parandalon këtë dukuri, inkurajim të takimeve prind-mësues, vendosje të rregullave të qarta në lidhje me çështjen e ngacmimit si dhe zhvillim të bisedave në mes të nxënësve që kryejnë ngacmime dhe atyre që i pranojnë ato.  Ky studim ndër të tjera inkurajon të kryhen më shumë studime të tilla të këtij lloji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht për shkak të prevalancës shqetësuese të kësaj dukurie.
   
    Në një tjetër studim që u bë në Amerikë nga Sales dhe Young (2003) u mblodhen disa të dhëna në lidhje me dukurinë e bullying mes nxënësve në ambientet e shkollës. Studimi u bë me nxënës të klasave të shtata dhe teta, gjithesej 454 studentë nga shkolla të ndryshme që përfaqesonin rrethe urbane, suburbane dhe rurale, shumica prej të cilëve ishin te bardhë dhe Afriko-Amerikan. Saktësisht, 24 % e nxënësve kanë deklaruar se kanë qenë pre e ndonjë ngacmimi por në të njëjtën kohë kanë ngacmuar nxënës të tjerë. Meshkujt ishin më të përfshirë në këto ngacmime dukshëm më shumë se femrat. Gjithashtu më të përfshirë në këto ngacmime ishin nxënësit e klasës së shtatë dukshëm më shumë se ata të klasës së tetë. Gati 14% e nxënësve raportuan se janë thirrur me nofka të ndryshme, janë goditur apo shkelmuar, janë ngacmuar me fjalë ofenduese të tjera, ose janë kërcënuar. Shumica e këtyre incidenteve të ngacmimit kanë ndodhur gjatë pauzës së drekës, pushimeve të shkurtëra gjatë procesit mësimore, por shumë prej tyre kanë ndodhur edhe gjatë ardhjes në shkollë, kthimit ne shtëpi si dhe në klasë.

    Në një studim tjetër që poashtu u bë në Amerikë nga Nansel, Overpeck, Pilla, Ruan, Morton dhe Scheidt (2001), morën pjesë gjithsejë 15.686 nxënës nga klasa 6 deri të klasa 10. Në këtë studim u raportua se rreth 30% e nxënësve kanë qenë pre e ngacmimit, por edhe kanë ngacmuar. Meshkujt dolën të jenë më shpesh të përfshirë në ngacmime dhe të jenë viktima të ngacmimeve. U vërejt se kryesisht nxënësit në klasat gjashtë deri në tetë (më shumë se ato nëntë dhe dhjetë)  ishin të predispozuar për të përjetuar bullying. Së fundi, gjetje të tjera raportuan se ngacmimet vinë kryesisht prej individëve nga zonat suburbane dhe urbane kundrejtë  individëve që vinin nga zonat rurale. Gjithashtu studimi i realizur nga Wolke, Woods, Stanford dhe Schulz (2001), arriti pothuajse në të njejtat konkulidime sa i përket dallimeve gjinore në çështjen e bullying. Sipas këtij studimi djemtë janë shumë më shpesh autorët e ngacmimeve të ndryshme fizike dhe psikike, por në të njejtën kohë ata janë shumë më shpesh viktima të bullying, në krahasim me femrat. Sipas këtij studimi këto ngjarje ndodhin më së shpeshti në klasa apo në ambientet e sallave sportive.
    Nansel dhe bashkëpunëtorët e saj (2001) gjithashtu kanë shqyrtuar edhe frekuencën e llojeve të ndryshme të ngacmimit, përshtatjen psikosociale të nxënësve që kanë ngacmuar dhe atyre qe kanë qenë pre e ngacmimeve. Ngacmimet verbale ishin më të shpeshta për të dyja gjinitë, komentet për pamjen e tyre, komente të natyrës seksuale dhe thashetheme të ndryshme. Interesante nga gjetjet e këtij studimi ishte se komente negative rreth races apo fesë janë raportuar shumë rrallë. Përsa i përket përshtatjes psikologjike, u gjet korrelacion pozitiv midis sjelljes ngacmuese dhe përleshjeve, përdorimit të alkoolit, pirjës së duahnit, dhe aftësisë për tu shoqëruar (për të bërë miq). Arritjet akademike dhe përceptimet për shkollën si një ambient me klimë negative, u asociuan shumë nga nxënësit që ishin pre e këtyre ngacmimeve. Vetmia gjithashtu ishte e lidhur pozitivisht me këto ngacmime.
    Oliver, Hoover dhe Hazler (1994) tentuan të analizojnë çështjen e bullying duke bërë një sondazh për nxënësit nga klasa 7 deri në klasën 12, pjestarë të shkollave të tre shteteve të Midwestern të Amerikës. Pothuajse pjesa dërmuesë e pjesëmarrësve raportuan se ata mendonin se viktimat e ngacmimeve, ishin pikërisht ata që sollën ngacmimin. Më pak se gjysma besonin se ngacmimi bëhet në një përpjekje që palës tjetër t’iu jipet një mësim, që më mos të bëjë një sjellje të caktuar. Nxënësit gjithashtu besuan se personat që bëjnë ngacmimet duan të jenë më të ‘’popullarizuar’’sesa viktimat. Nga gjetjet më interesante që dolën nga ky hulumtim ishte se nxënësit besuan se ngacmimet ku ata kishin qenë dëshmitarë, nuk ishin bërë më asnjë qëllim për të dëmtuar palën tjetër, por viktimat përceptonin ngacmimin (teasing- ngacmim fjalësh), si një ngacmim apo dhunë por që sipas tyre ai realisht nuk ishte i tillë. Ata mendonin se bëhej fjalë vetëm për një sjellje të caktuar shoqërore që nuk kishte për qëllim të dëmtonte palën tjetër.   
    Edhe vendet e Evropës në studime të ndryshme e kanë egzaminuar dukurinë e ngacmimeve në mes të moshatarëve duke i dhënë rëndësinë e duhur kësaj çështje. Në një studim të bërë nga Rivers, Noters, Poteat dhe Ashurst (2009) në Mbretërinë e Bashkuar, u provua të identifikoheshin pasojat mentale që sjellë bullying në shkolla për nxënësit që janë dëshmitarë të rasteve të tilla. Në këtë studim morën pjesë 2002 nxënës, mosha e të cilëve varionte nga 12 deri në 16. Nxënësit ishin pjestarë të 14 shkollave të ndryshme. Të dhënat në këtë studim u morën përmes anketave, duke përdorur pyetësorë që përfshinte pyetje në lidhje me ngacmimet që ndodhin në shkollë. Gjetjet e këtij studimi treguan se edhe në rastet kur nxenesit nuk janë viktima direkte të ngacmimit fizik ose psikik në shkollë, por janë dëshmitarë të rasteve të tilla, kjo mund të na dërgoj deri në dëmtime të jetës emocionale dhe mentale të tyre.
    Studiuesit Fisher, Moffitt, Houts, Belsky dhe Caspi (2012) në një studim të tyre, poashtu të realizuar në Mbretërinë e Bashkuar testuan nëse shpeshtësia e rasteve të ngacmimeve psikike ose fizike tek nxënësit nga nxënësit e tjerë, mund të bëjë që rastet kur nxënësit provojnë të lëndojnë vetvetën, të jenë më të larta. Në këtë studim morën pjesë 2232 fëmijë të cilët ishin të moshave 5, 7, 10 dhe 12 vjecare. Rezultatet treguan se 2141 prej tyre kishin provuar të lëndonin vetën dhe më shumë se gjysma e kishin bërë këtë si pasojë e ngacmimeve fizike dhe psikike që kishin përjetuar. Ky studim vërtetoi korrelacionin në mes të rasteve të ngacmimit fizik ose psikik të nxënësit nga bashkmoshatarët e tyre, me tendencën e tyre për të kryer sjellje vetlënduese.
    Në një studim tjeter që u realizua nga Williams, Chambers, Logan dhe Robinson (1996) në Londër, u vlerësua prelevanca e ngacmimit të fëmijeve në shkollat fillore si dhe në të njejtën kohë u shqyrtuan lidhjet e tij me simptomat e zakonshme në fëmijëri. Në këtë studim morën pjesë të gjithë fëmijet e klasës së 4 gjatë vitit akademik 1992 – 93 (mosha 8-9 ). Studimi është bërë me anë të semi intervistave të strukturuara shëndetsore të kryera nga infermieret e shkollave. Raportimet për ngacmim treguan këto rezultate: 40 nxenës raportuan se përjetonin ngacmime nga moshatarët “çdo ditë”, 48 të tjerë raportuan se përjetojnë ngacmime ”shpesh”, opsionit “ndonjëherë” ju përgjigjen 453 nxënës, 97  të tjerë raportuan se përjetonin ngacmime “ndonjëherë”, ndërsa 2210 raportuan se nuk kanë përjetuar asnjë formë të ngacmimeve në mes të moshatarëve në ambientet e shkollës. Sipas raportimeve rastet e ngacmimeve ishin të shoqëruara edhe me ndjenja trishtimi, dhimbje koke, stomaku, dhe gjumë jo të rehatshëm. Analiza e trendit linear për frekuenca të ndryshme raportoi se ngacmimi ishte signifikant për të gjitha simptomat e përmendura më lartë. Konkludimet e këtij hulumtimi vërtetojnë hipotezen se ngacmimet nepër shkolla sjellin pasoja të tjera që kanë të bëjnë me shëndetin fizik dhe mendorë të fëmijëve.
    Dukuria e ngacmimeve duket të jetë e përhapur edhe në kontinetin e Australisë. Prandaj edhe studiues të ndryshëm atje kanë kryer studime të shumta që kanë analizuar shpeshtësinë e rasteve të ngacmimeve në mes të moshatarëve si dhe mardhënien e kësaj dukurie me variabla të tjera. Në një studim të bërë nga Forero, Llellan, Rissel dhe Bauman (1999), u egzaminua prevalanca e rasteve të bullying në shkolla si dhe lidhshmëria në mes të kësaj dukurie dhe shëndetit psikologjik. Ky studim u realizua përmes vezhgimit dhe pjesëmarrësit u morën nga 115 shkolla private dhe publike, gjithsej 3918 pjesëmarrës, nxënës të klasave të gjashta, të teta dhe të dhjeta. Gjetjet e këtij studimi treguan se 24 % e pjesëmarrësve në këtë studim kishin ngacmuar nxënësit e tjerë, 13 %  raportuan të jenë ngacmuar ndërsa 22 %  të kenë ngacmuar dhe të jenë ngacmuar në të njëjtën kohë nga nxënësit e tjerë. Rezultatet gjithashtu treguan se nxënësit të cilët kishin përjetuar forma të ngacmimit fizik ose psikik nga nxënësit e tjerë, ishin më pak të entuziamuar për vajtjen në shkollë, ndiheshin me pak të lumtur dhe më shumë të vetmuar. Ky studim e tregoi përhapjen e madhe të dukurisë se bullying në shkolla të Austalisë si dhe asocioi me këtë dukuri shëndet të dobët mendor për nxënësit.
    Për të kuptuar më tutje ndikimin e fucishëm që ka konteksti i një vendi të caktuar, në shpeshtësinë e rasteve të bullying në shkolla, do të shqyrtojmë dy studime të tjera që me theks të veçant janë fokusuar te ky aspekt i dukurisë. Hulumtimi që u realizua nga Chaux, Molano, Podlesky (2009) u fokusua te ndërlidhja e faktorëve socio-ekonomik, socio-politik, socio-emocional, me predispozitat eventuale për të pasur ngacmime në shkolla. Hipotezat e këtij studimi u fokusuan në gjetjen e shkaqeve, që i shtyejnë disa shtete, rajone apo shkolla të ballafaqohen me raste më të shpeshta të ngacmimeve në krahasim me rajonet e tjera, ndikimin që kanë faktorët socialë, politikë dhe faktorë të tjerë të mundshëm kontekstual, në mundësinë që në një shkollë të ketë më shumë ngacmime se në shkollën tjetër. Në këtë hulumtim, u përfshinë rreth 53,316 nxënës nga klasat e 5-të deri klasat e  9-të nga 1,000 shkolla në Kolumbi. Nxënësit u ftuan të plotësonin një test të përgjithshëm kombëtar, i cili përfshinte pyetje në lidhje me ngacmimet, rreth familjeve, lagjeve dhe gjendjes së tyre socio-emocionale. Rezultatet e këtij studimi treguan se ngacmuesit vinin nga familje autoritare dhe të dhunshme, me nivele të larta të dhunës në komunitet, kushte sociale të mira, paragjykime dhe besime armiqësore që mbështesin agresionin. Duke pasur parasysh kontekstin e Kolumbisë, dhunën nga konfliktet me armë ndër dekada në mes te guerilasve, paramilitareve dhe forcave të qeverisë, mund të kuptojmë se kjo mund të ketë paraprirë dhunën neper shkolla në mes të fëmijeve.
    Edhe më tutje, një studim tjetër i bërë nga Ormel, Lindenberg, Oldehinkel, Winer dhe Verhulst (2005) që egzminonte pikërisht çështjen e bullyingut në shkolla, i realizuar përmes anketës, erdhi në përfundimin se femijët që i përkisnin shtresave të ulëta sociale si dhe ata me perfomancën më të keqe shkollore kishin gjasa më shumë ti përkisnin grupit të fëmijeve që ushtronin forma të ndryshme të ngacmimit fizik dhe psikik si dhe të ishin pjesë e viktimizimit. Keto rezultate mund të na ndihmojnë të ecim perpara drejt kuptimit se si kontekstet të caktuara janë më të predispozuara të kenë raste të ngacmimeve në shkolla në krahasim me kontekste të tjera. Këto studime, për më tepër, na ndihmojnë të kemi parasyshë rëndësinë e kontekstit të vendit tonë, kur dizajnojmë interevenime që kanë për qëllim të parandalojnë dukurinë e ngacmimeve.
    Një analizë e bërë nga Sampson (2012) për çështjen e bullying paraqet një udhëzim se si duhet të qaset individi ndaj kësaj dukurie. Sipas kësaj analize, kjo dukuri nën vlersohet nga autoritetet e shkollës dhe familiarët dhe nuk mirret si diqka që mund të ketë pasoja të mëdha, edhe pse tashmë janë vertetuar efektet negative që ajo mund të ketë në shëndetin mendor të fëmijëve. Kjo analizë poashtu përfshin qeshtje të natyrës së tillë që zakonisht janë shumë të nënvlersuara si: A është shkolla e vetëdijshme për këto ngacmime në ambientin e saj, sa din për konsekuencat që kanë këto ngacmime për viktimën, a ka shkolla politika adekuate si të udhëzoj stafin që të dinë si të qasen ndaj kësaj problematike. Studiuesja rekomandon se shkolla duhet jo vetëm te gjejë mënyra se si të identifikojë problemin dhe ta masë atë si koncept, por edhe si ta parandaloj atë. Këto pyetje dhe rekomandime të kësaj analize mund të shërbejnë si udhëzues për realizimin dhe dizajnimin e një intervenimi efektiv në vëndin tone, në lidhje me dukurinë e ngacmimeve në mes të moshatarëve.

Korniza teorike

    Në bazë të definicionit Bullying  perfshinë  përdorimin e forcës me qëllim të  abuzimit dhe ngacmimit të vazhdueshëm ndaj një personi. Zakonisht ky ngacmim ka pasoja afatgjate për viktimën, duke dërguar në fajësim të vetvetës, humbje të besimit, mbyllje në vete, humbje të dëshires për kontakte sociale, madje shpesh kjo lloj dhune dhe ngacmimi, dërgon edhe në vetëvrasje (Dake, Price & Telljohan, 2003; Nelson et al, 2001; Rivers et al, 2009). Bullying pra, ndodh si pasojë e një disbalanci fuqishë ndërmjet ngacmuesit dhe viktimës.

Konkluzion

    Kuptimi dhe njohja e gjithë fushëveprimit të ngacmimit së bashku me të gjitha karakteristikat që e përcjellin të ngacmuarin dhe viktimën, është mëse e dobishme për gjithë personelin e shkollës dhe fushën përkatëse në mënyrë që të zhvillohen intervenime sa më efektive të jetë e mundshme. Puna me fëmijë, gjegjësishtë me periudhën e hershme të adoleshencës, ku çdo ndryshim pason me një sjellje të caktuar, duhet të realizohet me kujdes të madh, nëse duam që rezultatet të jenë të dukshme dhe pa efekte anësore. Nëse punohet me intensitet të lartë në vedijësimin e komunitetit për efektet negative të kësaj dukurie, pa dyshim që të arriturat do të jenë evidente. Por e gjithë kjo, arrihet nëse paraprakisht kemi arritur një nivel bashkëpunimi sa më të mirë në mes anëtarëve të komunitetit, element ky që është thelbësorë për gjithë shtjellimin e dukurisë më tutje. E gjithë kjo duke pasur parasysh se përveç se ata nxënës i takojnë asaj shkolle, së pari i takojnë një familjeje, lagjeje, fshati apo qyteti dhe çdo ndërhyrje te ta, është ndërhyrje në të gjithë bashkësinë komunitare në përgjithësi, sepse nesër, ata do t’i shërbejnë po atij komuniteti dhe po asaj shoqërie.